Shqip

Deklaratë e Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, mbi ngjarjet e Beogradit

Përshëndetje të gjithëve,

Përfitoj nga rasti për të informuar opinionin publik në lidhje me disa zhvillime të pakëndshme në prag, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërmjet kombëtareve të Shqipërisë dhe Serbisë, të zhvilluar dje në Beograd.

Dje në orën 15:00, Ministria e Punëve të Jashtme është vënë në dijeni nga Ambasadori i Shqipërisë në Serbi Ilir Boçka mbi bllokimin në aeroportin Nikola Tesla të Beogradit, të rreth 45 shtetasve shqiptarë, kryesisht gazetarë, sipërmarrës, njerëz publikë dhe të ftuar të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Menjëherë pas njoftimit u morën masat e nevojshme nga ana jonë për zgjidhjen e situatës. U instruktua ambasadori ynë në Beograd për të kontaktuar me autoritetet serbe dhe për të mbështetur qarkullimin e lirë të shtetasve tanë, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Kam kërkuar zyrtarisht komunikim të drejtpërdrejtë edhe me homologun Ivica Daçiç, me synim zhbllokimin e kësaj situate, komunikim i cili nuk u realizua për shkak të mungesës së disponibilitetit të palës serbe. Në të njëjtën kohë Minstria e Punëve të Jashtme thirri Ambasadorin e Republikës se Serbisë në Tiranë, z. Miroljub Zaric, duke i shprehur shqetësimin për situatën e krijuar ne aeroportin e Beogradit dhe faktin se nuk do të toleronim që të cenohej asnjë shtetas shqiptar në Beograd. I kërkuam palës serbe që të dëshmonte maturi dhe vetëpërmbajtje dhe të mos përdorte një ndeshje futbolli për politikë, të bindur se vendi i futbollit është në fushën e blertë dhe jo në dyert e aeroporteve dhe korridoret e kancelarive diplomatike.

Lidhur me këtë incident, kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë duke bërë me dije shqetësimin dhe qëndrimin tonë për situatën e krijuar. Në orën 20:45, në fillim të ndeshjes Serbi-Shqipëri, në prani të autoriteteve më të larta të Shtetit serb, tifozët në stadium kanë përdhosur himnin kombëtar dhe simbolet tona. Turma prej mijëra tifozësh serbë shpërthyen në thirrje urrejtjeje dhe britma kërcënuese si, ‘Vritini shqiptaret’. Jo vetëm kaq, por tifozët serbë që ndodheshin poshtë tribunës VIP, ku ndodheshin personalitete të larta serbe dhe shqiptare, përsëritën të njëjtat thirrje të ulëta dhe gjeste tepër ofenduese në drejtim të të ftuarve shqiptarë.

Për fat të keq, tensioni në radhët e tifozëve i tejkaloi dimensionet e një ndeshjeje futbolli. Pas hedhjes në mënyrë sistematike të sendeve të forta në fushë, është tërhequr me forcë nga lojtarët serbë një banderole me imazhe kombëtare, gjë që ka shkaktuar reagimin e lojtareve shqiptarë. Situata ka degraduar me ndërhyrjen e dhunshme të huliganëve serbë në fushë dhe ushtrimin e dhunës ndaj lojtarëve tanë. Gjithashtu pjesëtarë të stafit të sigurisë së stadiumit që kishin për detyrë garantimin e sigurisë, u përfshinë në dhunën fizike kundër lojtarëve të kombëtares sonë.

Sa më sipër, nuk janë pretendime por fakte të evidentuara, që mbështeten në fotografitë dhe pamjet filmike të ndeshjes, shumë prej të cilave kanë bërë tashmë xhiron e botës.

Pas vendimit të UEFA-s për pezullimin e ndeshjes djemtë e kombëtares, stafi teknik, gazetarët dhe të ftuarit e FSHF-së u gjendën në një situatë presioni psikologjik të pashoqe. Pavarësisht provokimeve dhe situatës së nderë, si ekipi kombëtar ashtu edhe të gjithë shtetasit shqiptarë të pranishëm, dëshmuan vetëpërmbajtje dinjitoze dhe korrektësi për t’u përshëndetur.

Në rrethana të tilla, personeli i Ambasadës sonë në Beograd është instruktuar vijimësisht për të bashkëpunuar me autoritetet serbe për qartësimin e rrethanve të ngjarjes, si dhe në garatimin e integritetit, të drejtave dhe dinjitetit të shtetasve tanë. Fatkeqësisht, përpjekjet e Ambasadës sonë për të komunikuar me autoritetet përkatëse nuk gjetën mirëkuptimin e palës pritëse, madje personeli i ambasadës tonë në Beograd u bë subjekt i një trysnie të paprecedente psikologjike.

Në të njëjtën gjatësi vale, në mbështetje të përpjekjeve tona, Ministria e Punëve te Brendshme të Shqipërisë i komunikoi palës serbe shqetësimin për garantimin e sigurisë të të gjithë shtetasve shqiptare të pranishëm.

Pas rreth 3 orë bllokimi në stadium, u bë e mundur që falë angazhimit maksimal të autoriteteve më të larta qeveritare, ekipi kombëtar dhe të gjithë shtetasit shqiptarë, të niseshin drejt aeroportit të Beogradit.

Në aeroportin e Beogradit kombëtarja dhe shtetasit shqiptarë të pranishëm, u bllokuan edhe një here për rreth një orë, nën pretekstin e kontrolleve të mëtejshme.

Ministria e Punëve të Jashtme dënon me forcë dhunën, provokimet e ulëta dhe keqinformimin mediatik, të cilat bien ndesh me parimet e sportit dhe politikës së fqinjësisë së mirë.

Mikpritja, kjo vlerë e shenjtë për të gjithë popujt ballkanas, u nëpërkëmb si asnjëherë tjetër në një atmosferë antisportive dhe ksenofobe.

Jemi të keqardhur që autoritetet më të larta serbe nuk kanë gjetur ende kurajon për t’u distancuar dhe dënuar aktet e dhunës si dhe urrejtjen e shfaqur haptazi ndaj simboleve tona kombëtare si dhe atyre të aleancës atlantike.

Sjellje të tilla ekstremiste kërkojnë të mbajnë peng popujt tanë në qerthullin e një të kaluare të dhimbshme. Jemi të ndërgjegjshëm për dallimet e mëdha që ekzistojnë mes nesh, dhe po kaq të vendosur për të vijuar me durim dhe kurajo rolin tonë si promotorë të zhvillimeve demokratike dhe stabilizuese në rajon.

Ne jemi një vend anëtar i NATO-s, kandidat në BE, të qartë dhe krenarë për përkatësinë tonë perëndimore. Kjo përkatësi dëshmohet përditë përmes përputhshmërisë së plotë të vlerave, vizionit dhe objektivave të politikës sonë të jashtme me ato të SHBA-së dhe BE-së.

Ftojmë autoritetet serbe që të evitojnë epitetet fyese dhe në bllok ndaj shqiptarëve si dhe keqinformimin që nuk i shërben askujt.

I bëjmë thirrje autoriteteve serbe, të cilat kishin përgjegjësinë e plotë për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, që të dënojnë pa asnjë ekuivok dhe të nxjerrin para përgjegjësisë të gjithë përgjegjësit për incidentet e shkaktuara, para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Inkurajojmë autoritetet serbe që në vend të keqinformimit dhe propagandës që synon të përfshijë autoritetet e larta shqiptare, të hetojnë plotësisht ngjarjet, të faktojnë pretendimet dhe të nxjerrin përgjegjësitë.

Ftojmë autoritetet e UEFA-s të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për një hetim dhe një raportim të paanshëm duke dëshmuar se futbolli është arenë e miqësisë dhe e qytetarisë.

Dëshiroj së fundmi t’i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, Tuz dhe Mitrovicë që të ruajnë gjakftohtësinë, të tregojnë qytetarinë, kulturën dhe fisnikërinë që karakterizoi kombëtaren tonë gjatë sprovës së djeshme.

***

Zoti Bushati, ju shprehët keqardhje që autoritetet serbe nuk janë distancuar nga dhuna e ushtruar dje në stadiumin e Beogradit. Po të vijojë i njëjti qëndrim nga pala serbe, a do ta shohë qeveria shqiptare  mundësinë e anulimit të vizitës së Kryeministrit Rama në Beograd? Pyetja e dytë, zyra e kryeministrit serb ka deklaruara në televizionin CNN se drejtuesi i telekomandës së dronit  që valëviste simbolin e flamurit etnik e që solli më pas dhe përplasjen mes tifozëve serbë dhe shqiptarëve  ka qenë vëllai i Kryeministrit shqiptar, Olsi Rama. A është e vërtetë që është arrestuar vëllai  i Kryeministrit, duke u bazuar në këtë deklaratë?

Faleminderit për pyetjen. Sa i përket vizitës së Kryeministrit në Serbi, më lejoni të ritheksoj dhe një herë tjetër se qëndrimi I qeverisë shqiptare është shumë i qartë. Ne duam që sporti, politika, dhe huliganizmi të kenë vija të qarta ndarëse dhe jemi këtu pikërisht për të mos rënë në grackën e përzierjes së këtyre çështjeve me njëra tjetrën, sepse  nuk i shërbejnë marrwdhwnieve tona  dypalëshe, as miqësisë që duhet të vendoset mes popujve dhe as perspektivës së përbashkët, shpresoj, evropiane.

Qëllimi, objektivat dhe vizioni i qeverisë shqiptare dhe i vizitës të pritshme të kryeministrit në serbi është jashtëzakonisht i kthjellët, por në të njëjtën kohë, të gjitha opsionet janë të hapura. Mund t’ju them që qëllimi ynë është në përputhje me gjithë kursin në vijimësi që ka ndjekur politika e jashtme në rajon dhe në dritën e disa zhvillimeve jashtëzakonisht të rëndësishme, të iniciuara me procesin e Berlinit, ku Shqipëria ka një rol promovues për stabilitetin demokratik të rajonit dhe për lidhjen e rajonit më tej me atë që konsiderohet sot zyrtarisht  Bashkimi Evropian. Qëllimi ynë, vizioni ynë është i kthjellët. Të gjitha opsionet janë gjithashtu të hapura.

Për sa i përket pyetjes së dytë, përpara se t’i referohemi Olsi Ramës si vëllai i Kryeministrit, besoj se Olsi Rama ka qenë në cilësinë e një qytetari të zakonshëm, pjesë e grupit të njerëzve që ishin me FSHF-në në tribunën VIP. Mund t’ju them që nuk ka asnjë konfirmim që Olsi Rama, apo dikush tjetër nga delegacioni Shqiptar të jetë arrestuar nga autoritetet serbe. Është një spekulim i pastër i autoriteteve serbe dhe një keqinformim që shpresoj nuk bëhet me qëllim për të mbuluar atë çka ka ndodhur vërtetë.

Dua gjithashtu t’i bëj thirrje medias shqiptare që të jetë, sa më shumë të jetë e mundur, në lartësinë e detyrës, duke evidentuar të gjithë problematikën që është shfaqur para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes. Elementët që unë ndava sot me opinionin publik janë lehtësisht të verifikueshme siç gjej rastin t’iu bëj thirrje edhe një herë të gjitha autoriteteve serbe, që të gjitha pretendimet që kanë për çdo njeri që ka qenë në stadium, t’i faktojnë, t’i evidentojnë dhe t’i nxjerrin para përgjegjësisë.

A e mbante telekomandën Olsi Rama, siç pretendohet nga autoritetet serbe?

Unë shpresoj që Serbia është në një kurs evropian, siç është edhe Shqipëria, siç janë edhe të gjitha vendet e tjera të rajonit, ku parimet e shtetit të së drejtës dhe të mikpritjes janë parime të shenjta. Në rast se pala serbe ka qoftë edhe një grimë pretendim për çdo shqiptar, çdo lojtar të kombëtares, apo çdo person që ka qenë i pranishëm në stadium, rruga se si mund të adresohen pretendime të tilla është përmes fakteve, përmes evidencës dhe jo përmes zyrave të propagandës të kabinetit të kryeministrit apo Ministrit të Punëve të Jashtme.

Ju latë një opsion të hapur rreth vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Beograd. Çfarë do e përcaktojë opsionin e mbyllur të anulimit të kësaj vizite? A është duke negociuar BE-ja që vizita të zhvillohet , siç ka shprehur dhe deklarata e zëdhënëses se mirëpret vizitën e z. Rama në Beograd?

Faleminderit për pyetjen gjithashtu. Qëndrimi i sotshëm i zëdhënëses së Përfaqësueses së Lartë të Politikës së Jashtme tw BE, për ironi, vjen një ditë pas firmosjes së marrëveshjes së bashkëpunimit mes Komisionit Evropian dhe UEFA-s për promovimin e vlerave në sport kundër dhunës, ksenofobisë dhe racizmit. Kjo është mënyra se si e lexoj unë, si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, qëndrimin e mbajtur sot nga BE-ja.

Natyrisht BE-ja ka investuar në këtë rajon, sikundër ka investuar SHBA-ja për të pasur një rajon, pikë së pari në paqe dhe për të ecur së bashku me projekte të bashkëpunimit rajonal. Thashë edhe një herë tjetër, Shqipëria ka qenë qartësisht në korsinë euro-atlantike për sa i përket qëndrimeve tona, vizionit tonë, programit tonë të politikës së jashtme, të njësuara me ato bë BE-së dhe SHBA-së.

Nuk ka pikëpyetje  në asnjë rrethanë për Shqipërinë, sepse është një kurs në vijimësi i çimentuar në më shumë se dy dekada dhe ne dëshirojmë që ngjarjet që i paraprinë, shoqëruan dhe pasuan ndeshjen  të mos shfrytëzohen nga segmente të caktuara të shoqërisë serbe, qofshin këto në politikë, në sport apo në media, për synime që nuk kanë lidhje me perspektivën e përbashkët të rajonit. Ne jemi të gatshëm për të ecur përpara!

E thashë edhe në qëndrimin tim që e dimë shumë mirë që ka dallime, dimë shumë mirë që kursi ynë është qartësisht i përcaktuar, çka nuk është rasti i palës serbe, por kjo nuk është një pengesë për të shtyrë edhe shtatë dekada të tjera fillimin e një procesi komunikimi normal, por nga ana tjetër e shohim si një mundësi për të hapur një raport të ri që do t’i shërbente jo vetëm dy vendeve, por edhe perspektivës më të qartë evropiane të të gjithë rajonit.

Pas gjuhës së ashpër  të kryeministrit serb, me çfarë gjuhe dialogu do të ballafaqoheni në vizitën tuaj në Beograd?

Më ka rënë disa herë rasti që të jem në tryeza dhe formate të ndryshme me Ivica Daçiç dhe më vjen realisht keq që edhe Ivica Daçiç, ashtu si Kryeministri Vuçiç, nuk kanë gjetur ende kurajon për të denoncuar të gjitha incidentet që kanë ndodhur para gjatë dhe pas ndeshjes.

Jam realisht i keqardhur për këtë situatë dhe në rastin e Ivica Daçiç jam dyfish i keqardhur, edhe për shkak të një standardi të dyfishtë të vendosur nga vetë ai. Duke iu referuar tetorit 2010, kur një ngjarje e ngjashme ndodhi në stadiumin e Xhenovës në Itali, Ivica Daçiç akuzoi policinë dhe qeverinë italiane për ndërhyrje në stadium pas shfaqjeve të dhunës në stadium dhe u shpreh tekstualisht se përveç se dënonte veprimin e qeverisë italiane dhe forcave të policisë, Beogradi nuk do të lejonte kurrë që të ndodhte diçka e tillë.

Ndoshta çdo koment shtesë mbi deklaratën e homologut tim do të ishte i pavend pas kësaj që unë sapo thashë, e për të cilën unë ftoj të gjithë median serbe që e ka frektuentuar në mënyrë masive llogarinë time në Twitter, të kontrollojë deklarimet e homologut tim në YouTube.

A ju duket e ngjashme kultura e futbollit serb me atë të këngëtarit serb,  Goran Bregoviç?

Unë pak më parë bëra thirrje që të mos ngatërrojmë sportin me politikën, sportin me huliganizmin dhe në këtë rast mendoj që nuk do të ishte me shumë vlerë që ne të ngatërronim sportin me artin. Unë besoj që si sporti dhe arti kanë një të përbashkët që është mundësia e pamatë për të vendosur ura bashkëpunimi, komunikimi, e pse jo dhe ura vëllazërimi në të ardhmen.

A mund ta konsiderojmë si një kërkesë apo kusht faktin që autoritetet serbe nuk e kanë komentuar aspak vizitën e ardhshme të Kryeministrit Rama në Beograd në të gjitha deklaratat e tyre? A është e qartë shkuarja e tij në Beograd apo jo?

Ne besojmë se duhet të ketë mirëkuptim dhe këndvështrim të njëjtë për sa i përket disa standardeve të botës së qytetëruar, ku ne shpresojmë shumë që dhe Serbia dëshiron të aderojë, siç është rasti jonë, duke qenë anëtarë të NATO-s dhe kandidat në BE, që do të thotë se dhuna, racizmi, ksenofobia, pavarësisht se nga ç’drejtim vijnë dhe ku e kanë burimin duhet të dënohen dhe duhet që ngjarja të zbardhet. Ne besojmë se zbardhja e ngjarjes është e një rëndësie kyçe, jo thjesht për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, por në radhë të parë për t’i dëshmuar opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar që standardet evropiane në letër janë standarde të zbatueshme në praktikë.

Përballë të njëjtës barrë prove gjendet edhe UEFA. Besoj se ju i keni ndjekur komentet e personaliteteve të ndryshme të fushës së sportit që kërkojnë me insistim nga UEFA një hetim dhe ndëshkim shembullor të personave që mbajnë përgjegjësi.

A keni ju një raport nga ambasadori shqiptar në Beograd se disa shqiptarë të tjerë janë dhunuar pas daljes nga stadiumi?

Ka raportime në terren për akte dhune që vijnë nga segmente të caktuara të Serbisë. Siç e përmenda dhe në qëndrimin që mbajta, ne kemi qenë jashtëzakonisht të qartë, që në krye të herës, që për çdo çështje të komunikojmë me autoritetet serbe në rrugë bilaterale, përmes Ambasadës sonë atje apo Ambasadës serbe në Tiranë.

Edhe kërkesa  ime për një bisedë telefonike me homologun serb është në vazhdën e një praktike të konsoliduar që përdor bota demokratike për adresimin e krizave apo situatave të ngjashme. Jemi të keqardhur që nuk kemi gjetur këtë disponibilitet. Po kështu jemi në kontakt me të gjithë faktorët dhe partnerët ndërkombëtarë që kanë një interes për stabilitetin demokratik të rajonit dhe ecjen përpara në proceset euro-atlantike.

Mund t’ju them që i gjithë shërbimi i jashtëm është në kontakt të vazhdueshëm për të sqaruar situatën, për të shmangur çdo lloj incidenti të mëtejshëm dhe për të faktuar njëkohësisht, siç është edhe rasti që ju iu referuat në Beograd, që çdo sekuencë dhune apo veprimi që bie në kundërshtim me ligjin do të adresohet në rrugën përkatëse, gjithnjë duke u bazuar në parimet e shtetit të së drejtës, në të cilat, unë besoj Serbia është e angazhuar, unë besoj që Komisioni Europian është i angazhuar, sidomos për kapitujt 23 dhe 24 të bisedimeve për anëtarësim, sepse kjo është mënyra se si matet progresi i Serbisë dhe i Shqipërisë, dhe jo nga intensiteti i propagandës së zyrës së Kryeministrit apo i zyrës së Ministrit të Punëve të Jashtme.

E përjashton Shqipëria faktin që hedhja e banderolës me flamur mund të ketë qenë vepër e inskenuar nga shërbimet sekrete serbe?

Shqipëria dënon të gjitha aktet e dhunës që shoqëruan këtë ndeshje nga momenti që unë përmenda, me aeroportin e Beogradit, para fillimit, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes. Shqipëria kërkon hetim dhe nxit autoritetet serbe që çdo pretendim për çdo shtetas të Republikës së Shqipërisë që ka qenë prezent në stadium ta faktojë. Por, në të njëjtën kohë, kërkojmë në mënyrë të qartë dhe të prerë distancimin nga aktet e dhunës akteve  të urrejtjes që, ne besojmë, nuk kanë të bëjnë me opinionin e shëndoshë serb.

A do të ketë një vendim përfundimtar që do të konfirmojë fatin e vizitës së ardhshme të kryeministrit Rama në Beograd?

Ju nuk keni besim në kthjelltësinë e objektivave tona në politikën e jashtme dhe në kursin e ndjekur në rajon?! Në rast se nuk e keni këtë besim, ju ftoj të lexoni Progres Raportin e Komisionit Evropian, sepse besoj që e vlerëson me nota realiste qëndrimin tonë. Kur them që objektivat tona janë të qarta, kursi ynë është i qartë, opsionet tona janë të hapura, siç janë edhe kanalet e informimit për secilin prej jush që jeni gazetarë me eksperiencë në disa drejtime dhe gjithnjë të hapura.

 

 

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top