Shqip

Cërriku, qyteti më miqësor, më paqësor dhe më mikpritës në Shqipëri

Cërriku është nga ata qytete industrialë si Ballshi, Laçi, Poliçani, Prrejasi, Memliaj etj. që u krijuan në socializëm atje ku ishte puna dhe prodhimi. Psh, në Cerrik u ndërtua rafineria e naftës dhe më pas ndërmarrjet e grumbullim-përpunimit të produkteve bujqësore dhe duhanit dhe, bashkë me to, u rrit edhe qyteti. Qyteti u ngrit në fushën e Cërrikut, ku në fillim ishin rreth 111 familje autoktone. Emri i fushës u bë edhe emri qytetit të ri që u formua pas çlirimit. Veç të ardhurve nga rrethe të ndryshme të vendit, këto erdhën edhe të huaj. Në fillim rusët për të ndihmuar në ndërtimin e Uzinës së Punimit të Naftës, më pas kinezët për ngritjen e radiostacionit ndërkombëtar.

Që në fillimet e tij, qyteti u popullua nga banorët e tij që vinin kryesisht nga fshatrat përreth apo zonat e afërta, por edhe nga komuniteti çam që u vendos në zonën e cilësuar si kantieri. Ishte një popullsi që vinte nga Çamëria, pas genocidit antishqiptar grek ndaj një populli të pafajshëm që gjeti strehën e saj mes popullsisë vendase në pjesët bregdetare dhe në Cërrik.

Gjatë periudhës së regjimit komunist Cerriku ishte një qytet i bujshëm punëtor. Por ai ishte edhe qyteti i të persekutuarve. Këtu kishte shumë familje apo individë të internuar. Pas viteve 1990, si në të gjithë Shqipërinë, edhe në Cerrik ndodhën ndryshime të mëdha në demokratizimin e jetës. Veprat e dikurshme dhe ndërmarrjet ekonomike u shkatërruan, u shkatërrua edhe ndërmarrja bujqësore, nga më të mirat në vend.

Qyteti i Cërrikut ka edhe nivelin më të lartë të papunësisë në qark me mbi 40% të papunë. Këtë fenomen mjaft shqetësues e vuajnë sidomos të rinjtë që i sheh të shumtë në rrugë dhe lulishte. Aktualisht 400 familje trajtohen me ndihmë ekonomike, por numri i kërkesave sa vjen e shtohet.

10904816_872986936087415_1504035177_nSiç u tha më lartë, Uzina e Rafinerimit të Naftës ka qenë edhe pikënisja e ndërtimit të qytetit të ri. Ndërtimi i filloi në vitin 1952 dhe u përurua në 8 nëntor të vitit 1956. Uzina e Naftës u projektua fillimisht me aftësi 500 tonë përpunimi nafte bruto në 24 orë. Në vitin 1957 pas një përpunimi konstruktiv, u rrit aftësia përpunuese e naftës bruto në 800 tonë për 24 orë. Në vitin 1961 u realizua rikonstruksioni i uzinës duke rritur sërish aftësinë përpunuese në 1500 tonë në 24 orë. Gjatë periudhës së funksionimit prodhonte benzinë, gazoil, vajguri për ndriçim, bitumen, solar e mazut. Në vitin 1962 filloi prodhimi i vajrave lubrifikuese për automjete avtol 18 dhe DP 14 si dhe vajguri tip TS1 për aeroplanët. Në vitin 1965 filloi dhe prodhimi i sapunit naftanik dhe acideve naftanike.

Në Cerrik ka qenë një nga ndërmarrjet më të mëdha në Shqipëri, SMT-ja e Cerrikut, që u ngrit më 3 janar 1946. Aktiviteti i SMT shtrihej jo vetëm në rajonin e Elbasanit, por dhe në atë të Pogradecit dhe të Korçës. Në këtë sektor jetik për zonën e Cërrikut kanë qenë disa drejtues nga Elbasani që i kanë dhënë emër kësaj SMT-je. Më 1951, Stacioni i makinave dhe Traktorëve kishte 18 traktorë përkundrejt 2 920 hektarëve hamullor, ku punonin rreth 120 punëtorë. Pas vitit 1992, për vetë kushtet e ekonomisë së tregut dhe tregut të prodhimit dhe shitjeve, SMT u shpërbë dhe sot, ose është dhënë me qira, ose kanë përfituar prej saj prona të vogla ish-specialistë të kësaj ofiçine.

Këtu ka qenë Instituti i duhanit, institucion kërkimor shkencor për bimën e duhanit me shtrirje të veprimtarisë në të gjithë Shqipërinë. Puna shkencore me këtë bimë ka nisur në stacionin e kërkimeve Bujqësore të Tiranës më 1952. Më vonë më 1956 është ngritur në Yrshek të Tiranës si qendër e specializuar, stacioni eksperimental i duhanit. Në varësi të institutit kanë funksionuar tri baza eksperimentale në Shkodër, Korçë dhe Gjirokastër. Aty punuan 13 bashkëpunëtorë shkencorë dhe mbi 100 punëtorë në një sipërfaqe prej 45 ha.

Një nga veprat e mëdha që janë ndërtuar në Cërrik, është edhe radiostacioni, i cili ka filluar punë më 1 tetor 1967. Është qendër transmetimi radioje, me valë të shkurtra. Ky radiostacion ka qenë konceptuar si i ndarë në zona A dhe zona B. Radiostacioni i Cërrikut ka shërbyer dhe si shkollë për njohjen e teknikës radiotelevizive. Një numër i madh specialistësh të dalë nga këtu, punojnë në vende kyçe të Radio -Televizionit Shqiptar.

Sot Cerriku jeton me veprimtari të vogla private dhe me emigracion. Aktualisht ky qytet numëron mbi 15 mijë banorë, me një popullsi relativisht të re, por që ka si problematikë kryesore papunësinë. Megjithëse një qytet me përbërje heterogjene nga zonat të ndryshme të Shqipërisë, me përzierje fetare, përsëri këtu mbizotëron harmonia dhe solidariteti, karakteristikë e qyteteve të vogla

Pozicioni gjeografik i Cërrikut dhe resurset e tij, bëjnë që të mbizotërojë aktiviteti bujqësor, ku shquhet për drithërat e bukës, me një zhvillim ekstensiv, aktiviteti tregtar, po edhe ai industrial. Jo më shumë se 60 km nga deti dhe 20 km nga relievi malor, Cërriku prezanton një klimë të favorshme në bujqësi, agrume, blegtori e resurse të tjera natyrore. Qyteti eksporton të gjitha llojet e frutave dhe perimeve në të katër stinët e vitit. Në qytet, veç sipërfaqeve të tokës private, ka sipërfaqe të lira shtetërore ku mund të investohet në çdo drejtim.

Një popullsi relativisht e re, me resurse natyrore dhe njerëzore, ky qytet ofron mundësi të mëdha për investime në të gjitha sektorët. Natyrshëm funksionon rrjeti shëndetësor, farmaceutik, spitalor, social, kulturor si dhe mjediset sportive e një fushë futbolli e vlerësuar për parametrat, që janë njëherazi të gjitha bashkë kompleksi i jetës së përditshme. Duhet thënë se që nga gjimnazi e deri tek shkollat e tjera të mesme kanë dalë me qindra intelektualë të spikatur të fushave të ndryshme të jetës, një pjesë e të cilëve shërbejnë në kryeqytetin shqiptar apo dhe jashtë vendit.

Qyteti i Cerrikut për vetë pozicionin ka mundësi dhe resurse të mëdha zhvillimi, vetëm duhet më shumë vëmendje nga qeveria lartë.

10904737_872986879420754_1988380271_n10913623_872986896087419_1871539108_n

gazetadita.al

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top