ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Bien të ardhurat e emigrantëve

Banka_e_Shqipërisë

Familjet shqiptare po humbasin me shpejtësi një nga burimet kryesore të të ardhurave në buxhetet e tyre. Banka e Shqipërisë raportoi se dërgesat e emigrantëve shënuan në nëntë muajt e parë të vitit rënien më të fortë historike, që nga fillimi i krizës.

Sipas Bankës, në periudhën janar shtator, emigrantët shqiptarë dërguan pranë familjeve të tyre 136 milionë euro më pak se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Rënia është 28.1 për qind, me pasoja të forta jo vetëm për buxhetet e familjeve, por edhe për ekonominë kombëtare, pasi e vetme përfaqëson gati 1.3 për qind të Prodhimit Kombëtar.

Transfertat e emigrantëve janë në rënie të vazhdueshme që nga viti 2007, kur arritën pikun me mbi 900 milionë euro. Atë vit, ato përbënin sipas Bankës Botërore gati 14 për qind të Prodhimit Kombëtar të vendit duke financuar konsumin e familjeve dhe kërkesën e brendshme në ekonomi.

Këtë vit pesha e tyre pritet që të bjerë nën 5 për qind të Prodhimit Kombëtar. Tkurrja e fortë e dërgesave që familjet shqiptarë përfitojnë nga të afërmit e tyre në emigracion është cilësuar si një nga arsyet kryesore të ndrydhjes së konsumit në vend, duke ulur rritjen ekonomike në nivelet më të ulëta që nga viti 1997.

Por jo vetëm kaq. Për shumë familje ato janë burim jetik të ardhurash dhe tkurrja e tyre mund të rëndojë problemet sociale, veçanërisht duke thelluar varfërinë. Sipas një vrojtimi të realizuar nga Banka Qendrore ne vitin 2009, në Shqipëri përfitojnë dërgesa të rregullta nga jashte rreth 160 mijë familje dhe 26 për qind e tyre bien automatikisht nën nivelin e varfërisë ekstreme nëse nuk do t’i kenë këto të ardhura.
/ Top Channel

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top