Shqip

Bankat përgatiten për largimin e Greqisë nga eurozona

Bankat e mëdha në Europë kanë filluar të marrin masat për një dalje të mundshme të Greqisë nga zona e euros. Lajmin e bën të ditur prestigjiozja “Wall Street Journal”, sipas së cilës një sërë bankash të njohura si “City Group” apo “Goldman Sachs” janë duke kryer teste stresi të brendshme, për të parë se si do të ndikoheshin nëse Greqia do të largohet nga eurozona.

Sipas “Wall Street Journal”, planet përfshijnë kontrollin dhe identifikimin e aseteve që mund të preken nga dalja e Greqisë, vendosja e garancive mbi to dhe shumë operacione të tjera financiare. Madje, disa prej bankave janë duke vlerësuar pasojat, që kjo lëvizje do të ketë në sistemin europian të pagesave dhe atë të tregjeve valutore.

Kjo lëvizje vjen teksa partia e majtë opozitare e “Syriza”-s vazhdon të udhëheqë sondazhet përpara zgjedhjeve të 25 janarit. Frika e ekspertëve është se programi politik i “Syriza”-s do të çojë në një largim të pashmangshëm të Greqisë nga eurozona, edhe pse vetë kjo forcë nuk e pranon këtë zyrtarisht.

Megjithatë, shumë ekonomistë thonë se mundësitë që Greqia të largohet nga euro janë të ulëta. Analistët e “CommerceBank” i vlerësojnë ato vetëm në 25 për qind. Gjithsesi, bankat duket se duan të tregohen të kujdesshme dhe t’i paraprijnë çdo lloj skenari.

Madje “Wall Street Journal” citon drejtorin e thesarit të një prej bankave më të mëdha në Europë, i cili thotë se nëse dalja e Greqisë nga euro do t’i japë frymëmarrje vendit duke lehtësuar problemet ekonomike, atëherë ky shembull mund të ndiqet edhe nga Italia.

Për disa nga bankat europiane kjo do të thotë se ka ardhur koha, që të rikthejnë sërish planet e hartuara dy vjet më parë, kur ndarja e eurozonës ishte një opsion i nxehtë. Në atë kohë, shumë banka apo institucione të tjera financiare vunë në jetë plane kontigjence për të minimizuar efektet nga dalja e Greqisë.

 

 

Marë nga: http://www.top-channel.tv/

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top