ΕΙΔΗΣΕΙΣ

Ati i Shenjtë, mirë se vjen në tokën e tolerancës

Ati i Shenjtë, mirë se vjen në tokën e tolerancës

 

Punimet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kanë përfunduar në kohë dhe gjithçka është gati për pritjen e Ati i Shenjtë, Papa Françeskut ditën e sotme. Në të dyja anët e altarit do të ulen 240 priftërinj, nga 120 klerikë në secila anë. Në tavolinën qendrore do të ulen Papa Françesku, Im Zot Rrok Mirdita dhe Nunci Apostolik. Në të dy krahët do të jenë 21 kardinalë të lartë. Vëmendje e veçantë u është kushtuar edhe dekorimeve, të cilat do të vendosen në orët e para të ditës së sotme për të qenë të freskëta gjatë mbajtjes së meshës. Në krah të majtë të tavolinës ku do të ulet Papa Françesku është vendosur ikona e Zojës së Shkodrës, e cila lidhet me një legjendë të një kishe në Shkodër. Pas pushtimit turk shumë njerëz janë larguar për t’i shpëtuar pushtimit dhe për të ruajtur besimin. Pasi kisha është sulmuar ky afresk nuk është gjetur më. Mbetet mister zhvendosja e saj nga muri pa u dëmtuar si edhe fshehja e saj për shekuj.

Kush do të marrë pjesë në meshën e madhe

Në krahun e djathtë të platformës do të vendoset kori profesional i katedrales së Shkodrës, i cili ka rreth 3 muaj që po përgatitet për mbajtjen e kësaj meshe. Në platformën poshtë tij do të vendoset kori jo profesional, i cili do të shërbejë si mbështetës, i korit profesional. Përballë altarit janë vendosur karrige me mbulesë të zezë në të cilat do të ulen autoritetet e ndryshme të vendit, duke filluar nga presidenca, kryeministria, ministrat dhe deputetët e parlamentit si edhe trupi diplomatik, personalitete të huaja, të cilat janë ftuar për t’iu bashkuar kësaj meshe. Në krahun e djathtë të karrigeve do të pozicionohen rreth 300 të sëmurë me karroca invalidi, të cilët do të vijnë të shoqëruar nga 100 persona të tjerë. Ata do të takohen me Papën dhe do të marrin bekimin e tij. Nga ana tjetër, përballë Akademisë së Arteve do të jenë rreth 400 të rinj, të cilët po ashtu do të takojnë Papën. Këtyre dy grupimeve do iu drejtohet Papa Françesku gjatë leximeve që do të kryejë. Në shesh pritet që të jenë nga 7 deri në 10 mijë qytetarë dhe 100 mijë pelegrinë, të cilët do të mblidhen nga 6 dioqezat e Shqipërisë, por edhe nga kishat e tjera jashtë vendit si: Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Kroacia. “Ministria e Kulturës dhe qeveria kanë marrë masa që të ketë masa sigurie të jashtëzakonshme si për Papa Françeskun ashtu edhe për njerëzit që do të jenë në shesh”, u shpreh zv. ministri i kulturës Zef Çuni.

Përpara nisjes së meshës Papa Françesku do të përshkruajë një ecje përmes njerëzve në korridorin prej 5.5 metrash me papamobilin e hapur, nga ku do të përshëndesë të gjithë njerëzit e mbledhur në shesh. Zef Çuni tregon se, është investuar edhe për pikat ku do të qëndrojnë automjetet, pasi të gjithë personat nga rrethet do të vijë të organizuar për të marrë pjesë në meshën e madhe. Për këtë numër shumë të madh njerëzish në shesh është menduar që të krijohen hapësira për të kryer nevojat personale në tualete publike, të cilat janë shpërndarë në akset kryesore të Tiranës. Po ashtu, do të ketë pika ku do të shpërndahet ujë i pijshëm si dhe çadra për të pushuar. Për të shmangur çdo incident të mundshëm, janë ngritur edhe qendra shëndetësore dhe në gatishmëri do të jenë edhe disa auto ambulanca si dhe një staf mjekësor dhe një grup vullnetarësh. “Mendojmë se kemi arritur të realizojmë një organizim të përsosur dhe jemi të kënaqur me atë ç’ka kemi arritur deri tani. Së bashku me gjithë shqiptarët do të mundohemi ta presim në mënyrën më të mirë atin e shenjtë”, u shpreh ai. Në gjithë gjatësinë e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur qendra zëri dhe ekrane të mëdhenj që t’u mundësojë të gjithë njerëzve në shesh një audio dhe një video cilësore të meshës së mbajtur nga Papa Françesku.

Klerikët e mbijetuar nga komunizmi dëshmojnë te Katedralja “Shën Pali”

Ipeshkvi ndihmës i dioqezës së Tiranës, Xhorxh Frendo me origjinë Malteze, i cili ka vite që shërben në Shqipëri, tregon se Kisha Katedrale e “Shën Palit” është gati për të pritur atin e shenjtë. “Ne po përgatitemi për të shtuar detajet e fundit në këtë Katedrale. Kam vërejtur një dashamirësi edhe nga komuniteti mysliman. E kanë përcjellë këtë lajm në mënyrë shumë pozitive. Shqiptarët kanë një dashuri të veçantë për atin e shenjtë, për thjeshtësinë e tij, për dashurinë që tregon për të varfrit, dhe që thekson të mirën e Zotit. Kjo kuraje që ai tregon i ndihmon njerëzit, që ndoshta janë larguar t’i afrohen Zotit”, u shpreh ai. Ai shprehet i kënaqur edhe për bashkëpunimin që pati me qeverinë shqiptare për organizimin e kësaj pritjeje. Papa Françesku pritet të mbërrijë me makinë deri te oborri i Kishës Katedrale “Shën Pali” rreth orës 17:00. Si fillim, do të bëjë një ndalesë të shkurtër në oborr për të bekuar katër kambanat e kishës së Rrëshenit.

At Giovanni Pierogine, i cili po merret me organizimin e vizitës së Papa Françeskut në Kishën Katedrale “Shën Pali, tregon për gazetën “Shekulli” se, diçka shumë interesante pritet të ndodhin në këtë kishë ditën e sotme, sepse do të jepen përpara Papa Françeskut dy dëshmi nga të mbijetuar të komunizmit, një prift dhe një murgeshë. Don Ernest Simon Troshani dhe Motër Marieta Kaleta vijnë të dy nga veriu dhe janë ndër klerikët e vetëm që kanë mbijetuar nga koha e komunizmit. Ata do të rrëfejnë sakrificat dhe peripecitë që kaluan në Shqipëri gjatë kohës kur ndalohej besimi. Pasi të dëgjojë dëshmitë Papa do të shkojë në sankristia do të vendosë stolën, do të ngjitet në altar dhe do të fillojë lutjen. Më pas do të drejtohet në amvone dhe do të mbajë një fjalë për të gjithë klerikët e pranishëm. Kisha Katedrale “Shën Pali” ka përgatitur dy dhurata për atin e shenjtë. Një figurë të Zojës së Këshillit të Mirë dhe figurën e kryqit të martirëve shqiptarë. Ato do t’i dorëzohen Papës nga dy ipeshkëv. Mesha e mbajtur në katedrale është vetëm për ipeshkvit dhe për motrat, por jo për të gjithë njerëzit. Në katedrale do të jenë 846 klerikë. Do të ketë përfaqësues edhe nga jashtë vendit. Meshtarët do të mbajnë të gjithë nga një stolë (manteli, në formë shalli që vendosin meshtarët në qafë). Ipeshkvit që do të jenë afër Papës gjatë meshës së madhe do të veshin një veshje të bardhë dhe me jakë të artë.

Qytetarë nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni mblidhen në Tiranë

Kryeqyteti i Shqipërisë ka marrë një pamje festive për ardhjen e Papa Françeskut. Jo vetëm qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, por edhe të huajt si: maqedonasit, malazezët, kroatët, kishin dalë dje në bulevard për të parë përgatitjet e fundit për ardhjen e Papës. Të gjithë drejtoheshin drejt platformës ku ishte vendosur altari, ku do të mbahet mesha e madhe, për të shkrepur një foto si kujtim i kësaj dite që shumë prej tyre e konsiderojnë historike. 17- vjeçarja Dafina Mema, e konsideron veten me fat që mundi të jetë dëshmitare e kësaj vizite. “Jam shumë e lumtur që munda ta jetoj këtë ditë. Do të jetë një kujtim i çmuar për mua sepse e tillë do të jetë edhe kjo ditë për Shqipërinë”, u shpreh e emocionuar ajo. Në bulevard nuk ishin vetëm besimtarë katolikë, por edhe ata myslimanë e ortodoksë. Zonja Afërdita është një grua e moshuar me besim mysliman. Si shumë të tjerë ajo ka dalë në shesh për të parë pritjen e Papë. “Nuk ka rëndësi se çfarë besimi kam unë. Papa vjen për të bekuar Shqipërinë dhe arsyeja përse ai zgjodhi të vinte këtu ishte harmonia fetare, kështu që kjo është një arsye më shumë për të dalë në bulevard”, u shpreh ajo. Diana Çuni, është një prej shumë punëtoreve të cilat po merreshin me pastrimin e bulevardit. “Sot do të punojmë më shumë se zakonisht. Megjithatë unë nuk mërzitem sepse më vjen mirë që po jap kontributin tim në këtë ditë të madhe për Shqipërinë”, u shpreh ajo.

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top