Në qytetin e Fierit, është kthyer në një traditë që në ditët e festave kombëtare të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, në sheshin “Europa” të qytetit të ngrihet flamuri i vendit përkatës.
Sot, në sheshin “Europa” u ngrit flamuri grek, me rastin e festës kombëtare të Greqisë. Këshilltari i Kryeministrit për çështje kulturore, Fate Velaj iu referua në fjalën e tij, rëndësisë që kanë aktivitetet kulturore në njohjen reciproke të popujve dhe në forcimin e marrëdhënieve mes tyre.
Ndërsa ambasadori i Greqisë në Tiranë, Leonidas Rokanas theksoi në fjalën e tij se marrëdhëniet dypalëshe njohin një zhvillim të ri në shumë fusha dhe premtoi se do të bëjë çfarë është e mundur për të sjellë investitorë grekë në Fier.
“Greqia”, vazhdoi ambasadori, “që në Samitin e Selanikut të vitit 2003 dhe deri tani që ka presidencën e BE-së, ka përkrahur dhe do të përkrahë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit europian, sepse Shqipëria i takon Europës”.
“Jo vetëm Shqipëria”, theksoi ambasadori, “mund të përfitojë prej Europës, por edhe Europa mund të mësojë prej Shqipërisë; mund të mësojë prej traditës shqiptare të bashkëjetesës dhe të harmonisë ndërfetare, që është me të vërtetë një vlerë e çmuar”, përfundoi ai.
Burimi www.shekulli.com.al
