ΕΙΔΗΣΕΙΣ

14 Shkurt Shën Valentini Dita e të Dashuruarëve

Si çdo festë tjetër, përmes së cilës manifestohen ndjesi gëzimi: buzëqeshje, përshëndetje, përqafime, dhurata e urime me mesazhe nga më të ndryshmet, edhe 14 shkurti – “Dita e të dashuruarve” apo “Shën Valentini”, frymon po në këtë madhështi ndjesish. Ndoshta më të veçantë e bënë këtë ditë emocioni më i fuqishëm që mund ta përjetoj njeriu, ndjenja më e thellë, më e zjarrtë dhe më e pastër, çelësi universal, çelësi magjik për të gjitha dyert e jetës njerëzore që quhet – DASHURI.

Të gjithë e dimë se jeta pa dashuri është e mjerë. “Aty ku mungon dashuria, lëshon rrënjë mjerimi” – thotë një urti. Jeta pa dashuri i përngjanë konturave të një strukture boshe. Dashuria e përmbush atë, i jep formë, elasticitet, ngjyra të gëzuara, shkëlqim të artë… frymën hyjnore. Dashuria pra, i jep kuptim jetës, ngjall shpresat, nxit motivin, ndez në botën tonë të brendshme impulsin e pashuar të energjisë, energji e cila depërton deri në poret më të imta të qenies sonë, duke na rrëmbyer trupin dhe shpirtin… me një fjalë: dashuria është perlë e lumturisë! Dhe në këtë kontekst, nuk mund të shkruhet për dashurinë e të mos përmendet edhe i shenjti, Shën Valentini, i cili njihet në tërë rruzullin tokësor si “pajtor i të dashuruarve” ose “mbrojtës i dashurisë”. Edhe pse u ndoq, u persekutua, u burgos e në fund ju pre edhe koka, ai për asnjë çast nuk u pendua, nuk u përul, nuk u ndal së predikuari dashurinë e cila duhet të bëjë folenë në zemrën e gjithsecilit.

14 shkurti i vitit 270, dita kur u ekzekutua Shën Valentini, u rikthye në ditë përkujtimi për të, duke mos u zbehur shekuj me radhë dhe duke u festuar deri në ditët tona si “Dita e Shën Valentinit” apo “Dita e të dashuruarve”.

Pse bash “Dita e Shën Valentinit” apo “Dita e të dashuruarve”?

Pavarësisht se kjo festë shpeshherë lakohet në konotacion religjioz, disa duke e përvetësuar, të tjerë duke e gjykuar, mesazhi i saj, megjithatë, mbetet hyjnorë. Dashuria nuk ka përkufizime! Ajo nuk është produkt e as pronë e asnjë komuniteti fetar – ajo nuk mund të përvetësohet… dashuria është ndjenjë – NDJENJË HYJNORE andaj i takon secilës qenie që frymon në këtë hapësirë të lirë të universit të pafund.

Shumë legjenda qarkullojnë për këtë ditë. Disa nga elemente e këtyre legjendave që kanë udhëtuar ndër shekuj deri në ditët tona, kuptohet, se kanë pësuar ndryshime me kalimin e kohës, që shpesh krijojnë edhe konfuzione. Mendohet se kjo festë ka rrënjë pagane. Ka filluar të kremtohet nga romakët e lashtë, kur ata akoma nuk ishin të krishterë. Dita e dashurisë konsiderohej prej tyre si ditë e veçantë dhe festohej në mënyrë madhështore. Dashuria tek romakët pagan ishte e drejtuar, me nderimet dhe respektin më të lartë, për zotin e tyre. Gjithashtu, sipas kalendarit romak, muaji shkurt konsiderohej si arritja e pranverës ose stina e rilindjes, dhe në këtë muaj, e në veçanti kah mesi i tij, fillonin festimin me ceremoni të ndryshme, në mesin e të cilave bënin pjesë edhe ritet e kërkimit të fatit mes të rinjve përmes formave të lloj-llojshme, ose thënë ndryshe, përmes “lotarive” të dashurisë, nga ku edhe krijoheshin bashkime, fejesa të cilat përfundon me martesë.

Me kalimin e kohës, kjo festë pësoi ndryshime dhe u emërtua si festa e “Shën Valentinit” ose “Dita e të dashuruarve”, bazuar në legjendën e mëposhtme. Megjithëse edhe kjo është kontestuese, pasi janë disa versione në qarkullim ku përfolën disa persona me këtë emër (3 sipas Enciklopedisë Katolike, me të njëjtin emër, të tre martirë të cilët u ekzekutuan po në të njëjtën ditë – me 14 shkurt 269…!), unë e përzgjodha këtë tregim si versionin më të besueshëm për këtë ditë:

Mendohet se Shën Valentini lindi kah fundi i shekullit të 2-të dhe ishte peshkop në Interamna (sot: Terni) të Italisë, deri më 14 shkurt të vitit 269, kur edhe u ekzekutua nga perandori Claudius II (Marcus Aurelius Claudius). Thuhej se ai kishte një kopsht shumë të bukur për të cilin përkujdesej me plot pasion. Ai nuk i pengonte kurrë fëmijët e rrethit që të loznin brenda tij, bile, herë pas here, dilte në dritare për t’i soditur ata dhe për ta ndjerë sadopak gëzimin dhe harenë e tyre fëmijërore. Para se të binte muzgu, ai zbriste në kopsht dhe të gjithë fëmijëve që loznin aty, ua dhuronte nga një lule me këshillën që t’ia dërgonin prindërve si shenjë respekti e dashurie që kishin për ta. Mendohet se këtu e ka burimin edhe shkëmbimi i dhuratave të vogla, të cilat edhe sot u jepen personave të dashur, sidomos nënave.

Derisa Shën Valentini po përkujdesej për kopshtin e tij, i dëgjon dy të rinj, të fejuar, teksa po ziheshin mes veti. Ai u del përpara me një trëndafil të kuq në dorë dhe me një pamje të qetë e rrezatuese, ia dhuron të rinjve atë, duke kërkuar nga ata që ta shtrëngojnë që të dy bishtin e tij, dhe me këtë i shpalli ata si persona të martuar. Ky veprim i Shën Valentinit, si me shkop magjik, ktheu paqen mes këtyre dy të fejuarve dhe forcoi dashurinë mes tyre. Fjala u përhap shpejtë dhe njerëzit filluan të vinin tek Shën Valentini për ta bekuar martesën tyre. Meqë në atë kohë, perandori Claudius II, kishte ndaluar me urdhëresë fejesat dhe martesat, shkaku i luftërave, Shën Vlentini burgoset dhe dënohet me vdekje.

Supozohet se kjo është edhe arsyeja që në festën e Shën Valentinit ndihet çdo kund aroma e këndshme e trëndafilave si simbol i dashurisë ndërmjet të fejuarve, burrit e gruas, dashurisë ndaj njerëzimit, dashurisë ndaj Zotit.

Derisa Shën Valentini qëndronte në burg mendjen e kishte tek fëmijët dhe dashnorët e rinj. Ai iu lut Zotit me një kërkesë, dhe Zoti ia plotësoi atë – ia dërgoi dy pëllumba. Dy pëllumbat u bënë bartësit e mesazheve të dashurisë. Në qafën e njërit pëllumbat ishte lidhur edhe një çelës. Ishte çelësi i “kopshtit të dashurisë”.

Me kalimin e shekujve, zemra, trëndafilat e kuq dhe pëllumbat u kthyen në simbol më të preferuara për ta shprehur ndjenjën e dashurisë. Edhe sot e kësaj dite, zemra, trëndafili i kuq dhe pëllumbi paraqesin simbolikën më sublime, jo vetëm për dashurin romantike, por edhe për mbarë dashurinë njerëzore.

Festën e Shën Vlanetinit nuk duhet kuptuar vetëm si festën e të rinjve, festën e të fejuarave, por si mrekullinë e quajtur DASHURI. Dashuria nuk është e limituar, nuk ka përkufizime, nuk njeh moshë… nuk njeh status… Dashuria është dhurata më fisnike e Perëndisë në të cilën gjendet paqja hyjnore, andaj nuk duhet veçuar në këtë festë edhe zemrat e vetmuara. Në këtë kontekst dua ta përmend shkrimtaren dhe regjisoren e madhe franceze, Marguerite Duras që shkruante: “Unë jam gjithmonë e dashuruar në një ide, në një frymëzim, në një mundësi…” Çdo formë e dashurisë është pjesë e pandarë e procesit jetësor dhe ushqim më se i domosdoshëm për shpirtin njerëzor. Nuk është e rëndësishme se çfarë dashurie kultivojmë, e rëndësishme është prania e elementit të saj me të gjithë fuqinë dominuese që nuk është kurrë e tepërt për qenien hyjnore. Shumë bukur e ilustron këtë D. Demaku përmes një aforizmi ku thotë: Në botë mund të ketë tepër urrejtje, tepër vuajtje, tepër mjerim, por kurrë nuk do të ketë tepër dashuri. Dhe vërtet, kjo botë e stërmbushur me urrejtje, vuajte e mjerim, ka nevojë për shumë më shumë dashuri.

Prandaj, festimi i 14 shkurtit – “Ditës së të dashuruarve”, përmes një dhuratë simbolike, qoftë edhe përmes një puthjeje të vetme, le t’i sjell zemrave dhe shpirtrave të të gjithë qenieve njerëzore pakë ngrohtësi, pakë butësi, pak bukuri, pak siguri… dhe shumë, shumë dashuri, duke i lënë anash, ose harruar, bile për pak orë, ngarkesat e përditshmërisë përplot me strese, ndjenjën e shëmtuar të zemërimit, mërisë, zilisë, xhelozisë…

“Dashuria është si ajri i pastër, sa herë merr frymë njeriu, e freskon trupin e vet”.

Burimi http://www.syri3.com/index.php?id_kat=11&shkrimi=669

ΔΗΜΟΦΙΛΗΣ ΑΡΘΡΑ

Νέα, ειδήσεις για την Αλβανία και τους Αλβανούς στην Ελλάδα. Μεταναστευτικά νέα, ιθαγένεια, πολιτογράφηση, κώδικας μετανάστευσης, επικαιρότητα, Ελλάδα

To Top