Shqip

Spanja heq vulën apostile, Bushati ia kërkon edhe Greqisë

Spanja heq vulën apostile, Bushati ia kërkon edhe Greqisë

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i kërkon Greqisë të heqë vulën apostile me Shqipërinë, në pajtim me konventën e Hagës.

“Më posaçërisht, zbatimin reciprok të regjimit pa legalizim të dokumenteve, në pajtim me Konventën e Hagës e mezi presim edhe nga Greqia, si një sinjal të qartë të përkushtimit ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe standardeve të gjithpranuara në këtë fushë. Një vendim i tillë, në të njëjtën linjë me vendet e tjera anëtare të BE-së, do të çlironte energji pozitive në marrëdhëniet dypalëshe, duke lehtësuar kontaktet mes njerëzve dhe mbi të gjitha duke reduktuar ndjeshëm kostot dhe kohën për legalizimin e dokumenteve. Jam shpresëplotë se do të ecim në këtë drejtim, pasi çdo ditë punojmë për të mundësuar shërbime konsullore të sigurta, transparente dhe me kosto të ulët, dhe jo më radhë të gjata dhe shërbime sipas xhepit”, mësohet të jetë shprehur ministri Bushati.

Ndërkaq ka qënë radha e Spanjës të heqë vulën apostile me Shqipërinë, duke zbatuar kështu regjimin pa legalizim të dokumenteve, duke lehtësuar kështu procedurat mes dy vendeve. Ky hap, thotë ministria e Jashtme do ti kursejë shtetasve tanë kohë dhe shpenzime.

“Duke marrë në konsideratë modernizimin dhe garancitë e rregullshmërisë së dokumenteve që lëshohen nga administrata shqiptare, Spanja vendosi të pranojë zbatimin reciprok të regjimit pa legalizim të dokumenteve, i njohur si regjimi i Apostille-s. Tanimë, të gjithë dokumentet zyrtarë të prodhuar nga autoritetet e të dyja vendeve do të apostilohen pa pasur nevojë të legalizohen nga përfaqësitë respektive diplomatike”, thuhet në njoftimin e MPJ.

Për çdo dokument të lëshuar nga institucionet shqiptare dhe që do të paraqitet në Spanjë do të kursehet tarifa e legalizimit nga autoritetet spanjolle, me vlerë 20 euro/dokument, si dhe koha e pritjes do të përgjysmohet.

Gjithashtu, dokumentet e prodhuara nga autoritetet spanjolle, për të qenë të vlefshme në Shqipëri, duhet të pajisen me vulën Apostille të lëshuar nga institucionet spanjolle, pa pasur nevojë të legalizohen në Ambasadën tonë në Madrid. Edhe në këtë rast, kursehen 20 euro/dokument dhe ulet ndjeshëm koha e pritjes.

Në kuadër të reformës së shërbimeve konsullore po vijojmë përpjekjet për heqjen e legalizimit të dokumenteve edhe me vende të tjera të BE-së ku jetojnë shtetasit shqiptarë.

Pas Italisë, Belgjikës dhe Gjermanisë, Spanja është vendi i katërt i BE që i bashkohet Konventës së Hagës.

Burimi http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=347271#tab

ΣΧΟΛΙΑ

Most Popular

To Top