Shqip

Shqipëria nën ujë. Përmbyten rrugë e banesa. Një viktimë nga moti i keq

Shqipëria është e zhytur në ujë nga moti i rënduar me reshje të mëdha të shiut të rëna dy ditët e fundit. Situata është problematike në të gjithë vendin.

Motit me reshje të dendura, që solli edhe përmbytje në pjesën më të madhe të vendit, nuk i shpëtoi as kryeqyteti. Madje, mbrëmjen e kaluar, autostrada Tiranë-Durrës u bllokua tërësisht, ndërsa mëngjesin e sotëm u bë i munduar kalimi vetëm në njërin krah të autostradës. Janë evakouar disa persona nga fshatrat përreth Tiranës

Në Shijak mbi 20 banesa që ndodhen pranë lumit Erzen janë përmbytur. Si rezultat i reshjeve të vazhdueshme, ujërat kanë vërshuar brenda banesave, ndërsa Ujësjellës-Kanalizimet Durrës njoftoi dhe për probleme në furnizimin me ujë të pijshëm të kësaj zone.

Po në Durrës, banorët në Manzë banorët raportojnë nse prurjet e ujit kanë qenë aq te forta sa kanë shembur edhe një shtëpi, që sipas tyre i përket një plake të vetmuar, që tashmë nuk ka më ku të jetojë.

Në Pogradec uji ka depërtuar në disa banesa dhe biznese, ndërsa në Korçë, ku pritet rëndim i situatës në fushën e Maliqit, raportohen probleme në aksin Lozhan-Moglicë ku reshje të dendura kanë sjellë bllokim të rrugës si pasojë e rrëshqitjes së gurëve. E njëjta situatë është në aksin Bilisht-Kapshticë.

Edhe në Gjirokastër Lumi Drino ka përmbytur qindra hektarë tokë dhe pjesë të qytetit janë nën ujë, ndërsa aksi rrugor Kardhiq-Gjirokastër kalohet me vështirësi pasi ka dalë uji në rrugë tek pika e Viroit. 40 familje në fshatin Picar rrezikojnë përmbytjen shprehen burime nga Shtabi i Emergjencave në Prefekturë. Autoritetet e emergjencës janë në terren për tu ardhur në ndihmë banorëve duke përdorur varka.

Fieri dhe Vlora janë dy nga qarqet më të rrezikuara për shkak se lumi i Vjosës pritet të dali nga shtrati për shkak të shirave të mëdha që kanë rënë dhe në Greqinë veriperëndimore, prurjet e së cilave pritet të mbërrijnë në orët e para të mbrëmjes.  Janë bëra gati disa qendra evakuimi dhe po bashkëpunohet edhe me hotele private për strehim.

Në Skrapar përroi i Guakut ka shtuar prurjet duke rrezikuar të dalë nga shtrati.

Në veri të vendit probleme ka dhe në disa akse të thella në zonën e Dukagjinit, ku ka pasur rrëshkitje dherash nga rrjedhat e përrenjve.

Qyteti Shkodres vazhdon të mos ketë furnizim me ujë të pijshëm. Nga Hidrocentrali i Komanit dhe Vaut të Dejës po bëhen shkarkime të kontrolluara rreth 200 m3 në sekondë, ku është hapur deri në njëfarë mase vetëm njëra nga portat.

Në Dibër përroi i Peshkopisë ka dale nga shtrati. Një familje në rrezik u evakuua për t’u strehuar në konvikt.

Në Bulqizë, në lagjen Allmete, uji i përroit ka dalë nga shtrati duke rrezikuar shtëpitë përreth. Në Rrugën e Arbrit, prane Vajkalit ka rrëshkitje gurësh dhe ujë.

Ndërkohë lumi Devoll dhe përrenjtë kanë izoluar Njësinë Administrative Lenie. Në Gramsh e në Librazhd shumë zona mbeten pa energji elektrike dhe prania e gurëve dhe ujit në disa akse bëri që Ministria e Brendshme t’u bëjë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme qoftë me makinë, e qoftë në këmbë.

Më herët gjatë të enjtes, si pasojë e stuhisë që përshfiu Fierin, një elektriçist humbi jetën nga kontakti me rrymën. Edhe pse kolegët e dërguan 50-vjeçarin Sabri Vriga në spital, ai nuk arriti të mbijetojë.

Burimi http://top-channel.tv/2017/12/01/permbytet-shqiperia-rreziku-me-i-madh-ne-jug-ushtria-evakuon-banoret/

ΣΧΟΛΙΑ

Most Popular

To Top