Shqip

Mogherini në Tiranë: Lojërat politike bëjini në Kuvend VIDEO

Mogherini në Tiranë: Lojërat politike bëjini në Kuvend VIDEO

Shqipëria është Europë! Ka qenë ky mesazhi që shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini ka dhënë në një takim me studentët e Universitetit të Tiranës.

“Është absolutisht e qartë se Shqipëria është Europa dhe duhet të largohemi nga retorika se ju keni rrugë europiane. Ju jeni rrugës drejt BE-së”, ka deklaruar Mogherini.

Shefja e diplomacisë europiane ka thënë se, Bashkimi Europian nuk ka për të qenë i plotë derisa Shqipëria të jetë pjesë e tij, por i takon vendit tonë që të çojë përpara proceset integruese.

“Zgjerimi është një zgjedhje e përbashkët që ne po e bëjmë së bashku dhe ka të bëjë me vendime të përbashkëta që ne i ndajmë me njëri-tjetrin. Tani e ka Shqipëria në dorë të marrë hapin përpara”, ka thënë Mogherini.

Dhe në këtë drejtim, përfaqësuesja e Lartë ka nënvizuar se implementimi i reformës në drejtësi është diçka që i duhet Shqipërisë dhe jo Brukselit.

“Janë qytetarët që duan një reformë në drejtësi që shteti të funksionojë më mirë dhe jo Brukseli. Ndaj është përgjegjësi e institucioneve që ta përmbushin këtë reformë. Një sistem i pavarur i drejtësisë lufton krimin e organizuar, korrupsionin, do të tërheqë të rinjtë e interesuar për biznes dhe investitorët. Ka ardhur koha që Shqipëria të marrë hapat e duhura, ne nga ana jonë jemi gati të hapim negociatat”, ka thënë Mogherini.

Nuk ka mbetur jashtë fjalimit të saj edhe kriza politike në Shqipëri, për të cilën Përfaqësuesja e Lartë ka nënvizuar se problemet dhe kontestet duhen zgjidhur brenda dyerve të institucioneve.

“Hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën e integrimit varen nga reforma në drejtësi dhe në veçanti nga vettingu dhe për këtë politikanët kanë përgjegjësinë për të punuar brenda institucioneve. Loja e futbollit bëhet brenda fushës dhe jo jashtë saj. Ndaj betejat duhet të bëhen brenda institucioneve, Parlamentit në këtë rast”, ka shtuar Mogherini.

/ Top Channel

ΣΧΟΛΙΑ

Most Popular

To Top