Shqip

Ministri Majko takohet me Ministrin e Brendshëm grek Skouletis dhe Avokatin e Popullit

‘Mbrojtja e emigranteve dhe sidomos komunitetit shqiptar është prioritet i qeverisë greke.’ Kështu u shpreh Ministri i Brendshëm grek z.Panagiotis Skouletis, gjatë takimit me Ministrin e Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko në Athinë. Ndërsa e vlerësoi qeverinë greke për dashamirësinë e treguar ndaj të huajve, e kryesisht shqiptarëve, z. Majko e vuri theksin tek ripërtëritja e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ministri i Shtetit për Diasporën përmendi takimet e fundit mes Ministrave të Jashtëm dhe Kryeministrave grekë e shqiptarë, që siç tha, përcollën mesazhe shumë te qarta për lidhjet dypalëshe. ‘Të dyja shtetet kanë një të ardhme të përbashkët’-ishin fjalët e z. Majko. Ministri i Shtetit për Diasporën kërkoi më shumë vëmendje ndaj temave të thjeshta, të tilla si mësimi i gjuhës shqipe. Lidhur me këtë çështje, Ministri i Brendshëm grek pohoi se ruajtja e gjuhës është shumë e rëndësishme. Ministria e brendshme greke ka krijuar një pozicion te ri, Sekretari i Posaçëm për çështjet e nënshtetësisë, i cili gjate takimit u kujdes të siguronte Ministrin se po punojnë për lehtësimin e procedurave për integrimin e fëmijëve në shoqërinë greke.
Ministri i brendshëm grek u shpreh gjithashtu se Shqipëria do të ketë mbështetjen e plotë të Greqisë në përpjekjen për tu integruar ne Be

Problematikat e komunitetit shqiptar në Greqi ishin në fokus të bisedimeve mes Ministrit të Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko dhe Avokatit të Popullit në Greqi z. Andreas I. Pottakis. Avokati i Popullit e njohu Ministrin Majko me vështirësitë me të cilat përballen shqiptarët që jetojnë atje. Z. Pottakis bëri të ditur se qindra shqiptarë i drejtohen çdo vit zyrës së tij, kryesisht lidhur me çështjet e pensioneve dhe sigurimeve. Nga ana e tij z. Majko u ofrua të ndihmojë për krijimin e lehtësirave për shqiptarët atje dhe kërkoi krijimin e praktikave mbështetëse pranë Avokatit të Popullit, për studentët që studiojnë në Greqi. Ministri i Shtetit për Diasporën kërkoi që emigrantët shqiptarë të vazhdojnë të trajtohen me prioritet, pasi siç u shpreh, baza e marrëdhënieve mes dy vendeve, janë ato njerëzore.

ΣΧΟΛΙΑ

The Latest

To Top