Shqip

Mediat greke e shqiptare, studimi: Këndvështrim etnocentrik

Mediat greke e shqiptare, studimi: Këndvështrim etnocentrik

 

Me një këndvështrim etnocentrik, pa një informim të balancuar, mediat e dy vendeve mbeten ende shumë konservatore, përkëdhelin kordat nacionaliste dhe vazhdojnë të pasqyrojnë në mënyrë negative grekët në Shqipëri dhe shqiptarët në Greqi.

Ky ka qenë një prej konkluzioneve kryesore të një studimi shkencor që u paraqit në një prej sallave të Universitetit Maqedonia të Selanikut të organizuar nga Fondacionit Grek për Politikën Europiane dhe të Jashtme (ELIAMEP).


“Shumë nga  stereotipet dhe klima e keqe që ekziston në popujt e dy vendeve ose si e shikojnë njëri-tjetrin qytetarët e tyre kalon nga mediat”, tha Joannis Armakolas prof. Universitetit Maqedonia Selanik.

Sipas hulumtuesit Panagiotis Pasxalidhis janë zhvilluar dy vjet studime, në analizat e 949 artikujve të 5 gazetave kryesore të Greqisë nga spektri i majtë deri tek ai i djathtë për vitin 2014.

Më shumë janë pasqyruar katër ngjarjet kryesore të këtij viti në lidhje me Shqipërinë, si presidenca greke, çështja “Kareli”, reforma territoriale dhe ndeshja Serbi-Shqipëri.

Të gjitha janë trajtuar me syzet e bindjeve të çdo gazete, ku shtypi i majtë ka qenë më kritik ndaj nacionalizmit, ndërsa ai i djathtë ka ruajtur stereotipet e shfaqura gjatë viteve ‘90, megjithëse vihet re një distancim nga ai këndvështrim. Një nga qasjet më interesante të një prej profesorëve të ftuar për të komentuar këtë studim ka qenë edhe ai për çështjen çame.

“Mirë apo keq historia ka kaluar dhe nga ana tjetër duhet që edhe pala greke të thotë – Po, u bë një spastrim etnik në atë kohë nga Ushtria Demokratike e Greqisë, disa prej çamëve  ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve, u larguan të gjithë, nuk mund të kenë tashmë të drejta tek pasuritë – dhe të mbarojë kjo çështje”, u shpreh Kostandinos Tsitselikis prof. Universiteti Maqedonia Selanik.

Të pranishmit, kryesisht studentë, kanë ndjekur edhe studimin e bërë nga Instituti shqiptar i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku në 223 artikujt e analizuar nga 3 gazeta shqiptare në 6 muaj të 2014-s, këndvështrimi varet nga rasti dhe tema, ndërsa konkluzioni i studiuesve nga artikujt është se Tirana nuk ka besim tek Athina edhe kur kjo e fundit e ka mbështetur.

/ Top Channel

ΣΧΟΛΙΑ

ΤΕΛΕΥΤΑΙΑ ΑΡΘΡΑ

To Top