Shqip

“Lule të Kuqe, Lule të Zeza” Çfarë e bën këtë film mbresëlënës dhe të rëndësishëm

Me rastin e shfaqes të filmit Lule të Kuqe, Lule të Zeza (Mevlan Shanaj, 2003) në 29 Nëntor nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit për të shënuar Natën e Bardhë, një festë tradicionale që lidh njerëzit me artin, është interesante të diskutohet se cfarë e bën këtë film ende mbresëlënës dhe të rëndësishëm.

Nga Fjoralba Miraka

Në këtë artikull do doja të diskutoj para së gjithash mënyrën se si lidhja midis simbolizmit dhe peizazhit krijon tërësisht një tregim distopik të shëmtuar dhe të tmerrshëm për të pasqyruar dhe hulumtuar një sensibilizim dhe ndjeshmëri të hutuar personal dhe kolektiv. Filmi trajton tema të vështira si marrëdhënjet interpersonale, dhe realitetin e vështirë të zonave të izoluara të Shqipërisë. Elementet simbolike në filmi problematizojnë lidhjen midis njerëzve gjithashtu dhe mënyrën se si ata veprojnë dhe bashkëveprojnë në lidhje me peizazhin e vendit ku ata jetojnë, ashtu dhe me historinë që e shoqëron atë. Pra, filmi ndërton tragjedinë kolektive përmes dramës personale, aty ku ato përkojnë dhe ngujojnë përvoja thellësisht shqetësuese dhe dëmtuese. Shëmbëllimi human, gjuha vulgare, dhe imazhi i trishtuar gjatë gjithë filmit, secila veçmas dhe së bashku realizojnë një tregim figurativ dhe ekspresiv.

Bëhet e qartë që nga momentet e para të filmit se ky është një tregim i zhvilluar dhe bazuar në një masë të madhe në forma ekspresive, më së shumti në kompozimi i kuadrit dhe në kuptimin simbolik të objekteve të shpërndara gjatë gjithë filmit. Efekti estetik i inkuadrimit të dy fytyrave të personazheve kryesor Liljana dhe Ana në një pasqyre për shëmbull, sugjeron lidhjen e fuqishme midis nënës dhe vajzës, mirëpo në një nivel simbolik mundet të thuhet se ai ilustron marrëdhënjen ndërmjet dy gjeneratave. Në mënyrë të ngjashme, ne mund të deshifrojmë një ngjashmëri zbuluese midis vallëzimit të ngushtë të nënës dhe vajzës nën çarçaf – një lojë që i shndërron ato në imazhe fantazmash si ata në tregime për femijë – dhe dhunës shpërthyese të skenës finale në të cilën Liljana dhe mesuesi, të lidhur ngushtë njëri tjetrit, formojnë një krijesë të degjeneruar, të dhunshme dhe ofenduese. Dhuna e kësaj skene tregon diçka krejtësisht të kalbur në natyrën njerëzore, dhe imagjinon dhimbjen që rrjedh nga mosfunksionimi i ndërthyrjes njerëzore. Të dy skenat janë ambige me qëllim – a po qeshin apo po qajnë në krahët e njëri tjetrit? A po ngushëllojnë apo po konsumojnë njëri tjetrin? Ato mundësojnë spektatorët të kuptojnë lidhjen ambige të personazheve midis tyre dhe dhimbjen që personazhet ndiejnë, sepse ky vend i lëndon keq. Me kto dy skena që hapin dhe mbyllin tregimin filmi kuadron dhe ofron një udhëtim mes konflikte të dhimbshëm si për spektatorët ashu dhe për përsonazhet e narativës, një udhëtim që nuk çon askund.

Fshati afër Gjirokastrës ku historia po zhvillohet qëndron si një element simbolik krejt i përdorur pikërisht për të shprehur shqetësime tematike që shkojnë përtej kufijve personal dhe lokal, në arenën kolektive dhe kombëtare. Fshati piktoresk qëndron si një topos ku pathos dhe thanatos bëhen qendrore për negociatat ndërmjet realitetit dhe fantazisë. Qartësohet kësodore vlera e cila, siç historikisht i është atribuar peizazhit në filmin shqiptar, ashu dallohet edhe në Lule të Kuqe. Kjo vlerë sugjestionuese ndikon në imagjinatën kolektive dhe përfytyron të papërfytyrueshmen, ilustron bukurinë brenda shëmtisë, dhe të shëmtuarën brenda bukurisë. Ky mikrokozmos i pasqyruar në menyrë që kombinon realizëm dhe ekspresionizëm ofron eksitim intelektual i cili mund të përjetohet në momentet më banale siç është skena e parë që hap filmin, në të cilën ne e shikojmë Anën duke u larë (një skenë e cila qëndron në kundërshtim me vlerën sensuale të skenave të tilla në filmat e një regjisori siç është Brian De Palma për shëmbull) – si dhe në ato më ekspresive – monologu i të vetmuarit/cmendurit i cili mban një skelet mbi shpatullat e tij dhe vajton vetminë, zbrazëtinë dhe absurditetin e këtij vendi deri sa ai endet përreth dhe përfundimisht zhduket në hapësirë, sikur vendi e konsumon atë. Vdekja tani duket e mëshirshme!

Sidoqoftë, eleganca e shprehjes artistike ndodhet e fragmentuar dhe e shpërndarë nëpër imazhet dhe gjestet më vulgare. Të marra së bashku, këto imazhe dhe gjeste prodhojnë një dramaturgji që korrespondon me ndjeshmërinë unike të autorit, edhe pse krijimi i një filmi është një përvojë bashkëpunuese (por kjo temë ka lidhje me teoritë e autorësisë, pra duhet të diskutohet veçmas).

ΣΧΟΛΙΑ

Most Popular

To Top