Shqip

Lamtumirë certifikata! Institucionet detyrohen që t’i sigurojnë vetë

Qytetarët shqiptarë nuk do të humbasin më kohë në pritje të një shërbimi nga zyrat e shtetit, duke pritur më parë që të pajisen me një certifikatë personale apo familjare pranë zyrave të Gjendjes Civile.

Qeveria miratoi në mbledhjen e së hënës vendimin që u jep akses institucioneve shtetërore të printojnë vetë certifikatat dhe dokumente të tjera. Mjafton që për këtë të kenë autorizimin e qytetarit që kërkon shërbimin.

Pra, nëse më parë koha për të marrë një shërbim pranë një institucioni shtetëror zgjatej pafund pasi qytetari duhet të shkonte në zyrat e Gjendjes Civile për t’u pajisur me certifikatën që i kërkohej, sot atë mund ta printosh direkt, në mënyrë elektronike, në institucionin që ofron shërbimin.

Vendimi kërkon që të gjitha institucionet shtetërore të kenë akses në bazën e të dhënave të Gjendjes Civile. Kurse për të garantuar autenticitetin, dokumenti do të jetë i pajisur me një vulë elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të GJC.

Sipas Ministrisë së Brendshme, numri i certifikatave që lëshojnë zyrat në të gjithë vendin në një vit janë rreth 4.5 milionë. Po ata që do të përfitojnë më shumë, duket se janë ata qytetarë që për t’u pajisur me një certifikatë duhet edhe të udhëtojnë nga një qytet në tjetrin.

Vendimi vlen vetëm për institucionet shqiptare dhe jo për përfaqësitë e huaja diplomatike në Tiranë, të cilat do vijojnë me kërkesën për certifikatat e noterizuara.

Burimi http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=363637#k1

ΣΧΟΛΙΑ

Most Popular

To Top