Shqip

Fryhet Vjosa dhe Shkumbini. Lumenjtë dalin nga shtrati, evakuohen disa familje

Në disa zona të Vlorës dhe Fierit, lumenjtë kanë dalë nga shtrati dhe uji nisi të hyjë nëpër banesa.

Në të dyja qarqet janë agazhuar 150 efektivë dhe 15 mjete për evakuimin e banorëve dhe Shtabi i Emergjencave Civile njofton se janë evakuar tashmë 20 familje të cilat përmbyten çdo herë që del Vjosa.

“Do bëjë avazin. Nuk e përballojmë dot, masat i morëm, por…”, thonë banorët e Novoselës.

Edhe në Fier deri tani, me ndihmën e forcave ushtarake janë evakuuar 7 familje që kanë shtëpitë buzë Urës së Mifolit, ndërsa pritet të evakuohen edhe 8 familje të tjera. Ndërkohë, në 3 njësi administrative janë përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore. Nga përmbytja rrezikohen 7 fshatra në rrethin e Fierit.

Sipas Qendrës së Bashkuar Operacioale, në orën 13:00 pritet që prurjet të jenë maksimale nga lumi Vjosë në Novoselë. Por, nga Konica në Greqi, atje ku buron Vjosa, vijnë lajme të mira se reshjet janë ndërprerë.

Edhe Lumi Shkumbin ka dalë pranë urës së Rrogozhinës dhe Çermës, ku janë përmbytur tokat bujqësore. Banorët ndjehen të frikësuar dhe kërkojnë ndihmë për të ndrequr argjinaturën që e kanë prishur për të kaluar bagëtitë gjatë verës.

Shkumbini ka marrë me vete edhe një urë të varur në fshatin Polis në Librazhd. Në fshatin Vidhas ka dëme në bagëti. Ndërsa rruga Elbasan-Qafë-Thanë ka pasur probleme për shkak të rrëshqitjeve të tokës, por qarkullimi nuk është bllokuar.

Shirat që frynë Lumin e Zagorisë shembën edhe urën 200-vjeçare të Hoshtevës, e cila nuk ekziston më. Ndërtimi i monumentit të kulturës i kategorisë së parë datonte nga koha e Ali Pashë Tepelenës. Një tjetër urë e ngjashme u shemb edhe ne Orgockë të Kolonjës.
Në Gjirokastër, rruga nacionale në hyrje të qytetit të qytetit është e pakalueshme për mjetet e vogla. Niveli i ujrave prej vërshimit të Drinos lejon qarkullimin vetëm për mjete të mëdha. Problematike janë edhe akset që nisen në këtë pikë drejt Antigonesë dhe Lunxhërisë.

Edhe në Berat, Lumi Osum ka arritur pikën kritike.

ΣΧΟΛΙΑ

The Latest

To Top