Shqip

Athina konfirmon “Vullnet për të zgjidhur gjithçka me Shqipërinë “

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka dhënë detaje të reja për takimin e Kretës, por për herë të parë ka shprehur vullnetin e Athinës që nga ky takim të tentohet zgjidhja totale e problemeve.

Kotzias ka deklaruar se takimi me ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati do të mbahet gjatë dy javëve të para të nëntorit në Kretë.

“Unë besoj shumë se mes palëve duhet të ketë dialog. Ndaj dhe me palën shqiptare do të dialogojmë në mënyrë që çështjet të mos na dalin sërish para. Dëshira është që problemet t’i zgjidhim si një paketë. Shkojmë në takim për të gjetur zgjidhje për sa më shumë çështje të mundemi. Kemi një ekip koordinatorësh tepër efikasë, të cilët janë ndarë në katër ekipe dhe punojnë për zgjidhjen e problemeve. Natyrisht, ne duam t’i zgjidhim të gjitha kontestet me Shqipërinë”, ka thënë Kotzias.

Si shenjë të zbutjes shefi i diplomacisë greke ka vlerësuar tërheqjen e qeverisë shqiptare nga prishja e ndërtimeve në Himarë.

“Ishte vendim i mirë të mos prisheshin godinat në Himare. Ishte një vendim i mirë nga pala shqiptare, në drejtimin e duhur. E kemi përshëndetur ligjin e ri për minoritetet në Shqipëri. Në 5 kapitujt e Asociimit që Shqipëria duhet të plotësojë, BE i kushtëzon mes të tjerash vendit që aspiron për t’u bërë anëtar kapitullin e pronës dhe të drejtat e minoritetit. Pra, për këto po punojmë, që të gjenden zgjidhjet dhe së bashku të ecim përpara. Ne nuk e duam gjuhën e ashpër, ndaj dhe shpesh nuk iu përgjigjemi retorikave të ashpra mes nesh dhe palës shqiptare”, ka shtuar Kotzias.

Burimi http://top-channel.tv/2017/10/26/athina-konfirmon-dashurine-e-re-kotzias-vullnet-per-te-zgjidhur-gjithcka/

 

ΣΧΟΛΙΑ

ΤΕΛΕΥΤΑΙΑ ΑΡΘΡΑ

To Top